Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me ministrin gjerman për Europën, Gunther Krichbaum, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri në cilësinë e Ministrit të Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë.
Gjatë takimit, Balla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Krichbaum i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, si në rolin e tij në Bundestagun gjerman, ashtu edhe në funksionin aktual qeveritar. Ai theksoi se Gjermania renditet e para për mbështetjen e drejtpërdrejtë të akorduar Shqipërisë.
Sipas Ballës, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ndodhen sot në nivelin më të lartë historik, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare ku të dyja vendet janë pjesë.
“Gjithmonë një kënaqësi të takohem me Gunther Krichbaum, i cili në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri vjen si Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë. Shumë mirënjohës zotit Krichbaum për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme, qoftë në Bundestag, qoftë tani si anëtar i Qeverisë gjermane. Gjermania renditet e para me mbështetjen e drejtpërdrejtë të akorduar Shqipërisë. Sot Shqipëria dhe Gjermania kanë nivelin më të lartë historik të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe në kuadër të organizatave ku dy vendet tona aderojnë. Gjermania mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Balla.