Dyshohet se grabitën dy karburante me pistoletë lodër, Policia e Lezhës shpall në kërkim dy persona

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Policinë e Kukësit, ka zbardhur dy raste vjedhjeje të ndodhura në pika karburanti në territorin e këtyre dy qarqeve, ku autorët dyshohet se kanë vepruar nën kërcënimin e një pistolete lodër.

Ngjarjet kanë ndodhur në autostradën “Milot–Morinë” dhe në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, ku dy persona kanë kërcënuar punonjësit e karburanteve me një send në dukje armë zjarri, duke marrë shuma parash, përfshirë xhiron e turnit, si edhe një sasi nafte.

Pas hetimeve intensive të zhvilluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, strukturat hetimore identifikuan si autorë të dyshuar shtetasit E. N., alias E. Ll., 30 vjeç, dhe A. L., 23 vjeç, të dy banues në Mamurras. Të dy janë shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e njërit prej të dyshuarve, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pistoletë lodër, e cila dyshohet se është përdorur për kërcënimin e punonjësve gjatë vjedhjeve.

Sipas të dhënave hetimore, grabitjet janë kryer mbrëmjen e 21 janarit 2026 dhe në orët e para të mëngjesit të 22 janarit 2026. Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033