Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 3.75% në 2025, pensionet +8.4% dhe borxhi publik zbriti në 53.4%

Ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv edhe gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje ekonomike, përmirësim të treguesve fiskalë dhe stabilitet makroekonomik, pavarësisht pasigurive gjeopolitike globale. Të dhënat u prezantuan nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se aktiviteti i sektorit privat ka qenë në rritje dhe klima e biznesit ka nxitur investimet.

Sipas ministres Ibrahimaj, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë të vitit, një normë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe e rajonit. Ajo theksoi se ekonomia ka shfaqur stabilitet pas periudhës post-pandemike, edhe pse vendi dhe rajoni janë përballur me paqartësi të shtuara ndërkombëtare. Inflacioni u regjistrua në nivelin 2.2%, duke qëndruar brenda objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Një tjetër tregues pozitiv, sipas ministres, është ulja e borxhit publik. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, borxhi publik zbriti në 53.4% të PBB-së, nivel që vlerësohet si tregues i qëndrueshmërisë fiskale dhe që krijon hapësira për politika dhe stimuj të ardhshëm ekonomikë.

Pozitive paraqitet edhe panorama e sipërmarrjes. Numri i bizneseve aktive në vend është rritur me 17 486 krahasuar me vitin 2024. Të ardhurat buxhetore për 11-mujorin e vitit 2025 arritën në 688 miliardë lekë, ose 6.3% më shumë se një vit më parë, në një kuadër ku nuk ka pasur rritje të barrës fiskale, çka sipas ministres dëshmon rritje reale të aktivitetit ekonomik dhe rezultate në luftën kundër informalitetit.

Në tregun e punës dhe në skemat sociale janë regjistruar përmirësime të ndjeshme. Pagat janë rritur me 7.3% në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa pensionet kanë shënuar një rritje mesatare prej 8.4% në nivel kombëtar. Remitancat kanë vijuar rritjen me 5.8%, duke reflektuar një ecuri pozitive si në terma nominalë ashtu edhe realë, ndërkohë që leku ndaj euros është forcuar me 2.7% në bazë vjetore.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur gjithashtu se eksportet shqiptare kanë shënuar rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar orientimin e ekonomisë drejt sektorëve me vlerë të shtuar. Sipas të dhënave zyrtare, eksportet totale janë rritur me 6.26% gjatë 9-mujorit të parë të vitit, duke konfirmuar forcimin gradual të strukturës së ekonomisë shqiptare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033