Historia tragjike e Sibela Abedinit, e cila dyshohet se u vetëhodh nga pallati ku jetonte, duke gjetur vdekjen, është trajtuar në një emision televiziv. Për ngjarjen në fjalë, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Altin Çokut, 39 vjeç. I dyshuari ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk është ai personi që ka publikuar fotografinë intime me 27-vjeçaren dhe se arrestimi i tij është i paligjshëm.
Çoku i ka thënë gjykatës se i kishte kërkuar të resë që të bënte denoncim, një version që kundërshtohet nga Prokuroria, e cila ka bindjen se përmes shpërndarjes së fotografisë intime, i dyshuari i ka shkaktuar viktimës një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike. 39-vjeçari ka deklaruar se është përdorues i TikTok-ut si shumë të tjerë dhe se fotografinë e ka publikuar një person me inicialet A.H., nga Fushë-Miloti.
Më herët, në një video të publikuar në TikTok, Çoku kishte pretenduar se ky person i kishte hapur telefonin dhe kishte marrë prej aty fotografinë intime me 27-vjeçaren, duke e shpërndarë më pas në rrjetin social. Altin Çoku është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi në vitin 2014 ishte akuzuar për gjobëvënie ndaj një mjeku në Kurbin. Nën kërcënime me telefonata dhe letra, mjeku ishte detyruar që në periudha të ndryshme t’i jepte rreth 4 mijë euro.
Nga ambientet e burgut, Altin Çoku mohoi kategorikisht që të kishte pasur një marrëdhënie intime me të ndjerën, ndërsa shtoi se ishin të lidhur. Po ashtu, ai theksoi se fotoja në fjalë ishte montazh. Ai u shpreh me bindje se Sibela nuk ka vrarë veten, por është vrarë, ndërsa akuzoi policinë se ka gisht në krim.
“Më është bërë padrejtësi e madhe nga shteti shqiptar. Duke pasur fëmijë edhe vetë, kam kërkuar që të zbardhet e vërteta. Nuk mund ta quaj avokat, por hero, përfaqësuesin tim. Më është mohuar e drejta ime. Unë dhe e ndjera jemi njohur në një lokal. Sa i përket familjes Abedini, u shpreh ngushëllime. Nuk është asgjë e vërtetë, pasi unë nuk i kam nxjerrë foton intime asaj. Jemi njohur rreth dy javë para se të ndodhte ngjarja. Ajo erdhi në tavolinë dhe më kërkoi që të bënim një foto. Ajo foto është e modifikuar. Unë jastëkun e mbush me lot çdo natë, sepse familja nuk ma hap telefonin. Kemi pasur një lidhje, por jo intime, një pëlqim ndaj njëri-tjetrit. Në momentin kur kam qenë live në TikTok, doli fotoja. E njoftova Sibelën që kishte dalë një foto dhe i thashë se ishte e modifikuar. Më pas mora në telefon 129 dhe pyeta se ku mund të bëja një denoncim. Bëra denoncimin dhe ika. Në ditën kur e ndjera ndërroi jetë, kanë ardhur dhe më kanë arrestuar.”
Ai mohoi gjithashtu deklaratat se Sibela ishte e shqetësuar për shkak të shantazhit dhe tha se i kishte kërkuar vazhdimisht të bënin denoncim. Sipas tij, ajo kishte shkuar edhe në banesën e tij, ndërsa ish-bashkëjetuesja e tij ishte larguar pasi kishte parë foton.
“I thashë: të lutem, hajde të bëjmë denoncim. Nuk kam pasur raport intim me të. Unë mendoj se Sibela është vrarë nga një dorë e zezë, pasi ajo ishte vajzë me shumë ëndrra. Mediat, për një klikim, i bëjnë gjërat trashanike, kanë hedhur baltë mbi mua dhe vajzën time. Prindërit e mi kanë shitur unazat për të më sjellë ushqime në burg. E vetmja gjë që kam thënë është se kush ka hedhur foton në TikTok, do të mbajë përgjegjësi. Nuk kam pasur marrëdhënie me kushërirën time, janë gënjeshtra,” u shpreh Çoku.
Historia
Sibela Abedini humbi jetën duke u hedhur nga kati i katërt i një pallati në Kamëz. Ajo ishte e martuar në Kosovë dhe ishte nënë e një vajze të mitur. Për shkak të problemeve me bashkëshortin, ajo ishte kthyer për të jetuar pranë prindërve të saj në Kamëz.
Nëna e Sibelës ka hedhur akuza të forta publike, duke deklaruar se vajza e saj nuk është vetëvrarë, por është vrarë. Sipas saj, presioni psikologjik dhe ajo që e cilëson si persekutim i vazhdueshëm kanë çuar në tragjedinë e rëndë. Ajo ka theksuar se gishti i akuzës drejtohet ndaj Altin Çokut, duke kërkuar drejtësi të plotë dhe zbardhje të rrethanave të ngjarjes.