Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Ardhja e Ivanka Trump dhe bashkëshortit Jared Kushner në Vlorë, e shoqëruar me pritje protokollare dhe një darkë private me kryeministrin Edi Rama, u paraqit publikisht si një vizitë e jashtëzakonshme.

Por, në thelb, vizita e Trump dhe Kushner – të cilët prej vitit 2023 e kanë vizituar shpesh Shqipërinë – ekspozon një model të konsoliduar të vendimmarrjeve të qeverisë Rama: përqendrimin e pasurive publike në pak duar, të lidhura me pushtetin politik dhe financiar, tashmë edhe ndërkombëtar, përmes negociatash direkte, pa transparencë, pa garë dhe pa llogaridhënie.

Ky model nuk është i panjohur as në profilin publik të vetë Jared Kushner. Në SHBA dhe Lindjen e Mesme, ai është përballur me kritika të vazhdueshme për ndërtimin e karrierës së tij si sipërmarrës duke përfituar nga pozicioni politik i vjehrrit, Donald Trump, veçanërisht për marrëveshje të mëdha investimi që u realizuan pas përfundimit të mandatit presidencial.

Kritikët kanë ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e interesit dhe mungesën e ndarjes mes rolit publik dhe përfitimit privat, një debat që sot gjen jehonë edhe në Shqipëri.

Sazani dhe Zvërneci si “plaçka për t’u falur”

Projekti i propozuar nga Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan dhe Zvërnec po përparon përmes një formule që shmang parimet bazë të konkurrencës, aq shumë të kërkuara dhe të lavdëruara nga BE për integrimin.

Ai erdhi si propozim i pakërkuar, vijoi pa diskutim publik dhe pa tender të hapur ndërkombëtar. Askush nuk di të thotë nëse oferta e Kushnerit është më e mira e mundshme dhe nëse po shqyrtohet mundësia që të lejohen investitorë të tjerë në Sazan.

Qeveria po negocion drejtpërdrejt me kompaninë “Affinity Partners”, e cila pritet të jetë ortake, në kuota shumice, me ndërmarrjen shtetërore “Albanian State Development & Real Estate”, e krijuar për këtë qëllim. Grupi negociator përbëhet nga përfaqësues të disa ministrive dhe institucioneve shtetërore, përfshirë struktura të zhvillimit të investimeve dhe planifikimit territorial.

Është kontraktuar gjithashtu asistencë ligjore dhe financiare me vlerë të konsiderueshme për të forcuar “pozitën e shtetit shqiptar në këtë investim”, çka tregon se statusi i investitorit strategjik është dhënë pa një analizë të plotë paraprake mbi impaktin financiar dhe mjedisor.

Pikërisht për impaktin mjedisor, organizata mjedisore kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme se propozimi prek zona të mbrojtura, veçanërisht në Zvërnec, duke rrezikuar vijën e egër bregdetare dhe ekosistemet natyrore.

Ky zhvillim po ndodh në një kohë kur Shqipëria ka detyrime të qarta për mbrojtjen e mjedisit në kuadër të procesit të integrimit evropian, përfshirë rishikimin e legjislacionit për zonat e mbrojtura.

Nga informacionet e bëra publike, rezulton se nuk po shqyrtohen alternativa të tjera investimi dhe se projekti po trajtohet si i vetmi opsion i mundshëm për zhvillimin e Sazanit.

Nga e gjithë kjo tablo duket qartë se Sazani dhe Zvërneci po trajtohen si pasuri për t’u dhënë, dhe jo si pasuri publike të parikuperueshme që kërkojnë menaxhim me rregulla, garë dhe transparencë.

Modeli që përsëritet

Rasti i Sazanit dhe Zvërnecit nuk është i izoluar. Qeveria ka ndjekur një logjikë të ngjashme edhe me Portin e Durrësit, Portin e Vlorës dhe zonën përreth Aeroportit të Vlorës.

Në rastin e Portit të Durrësit, projekti iu dha një investitori të huaj përmes një ligji të posaçëm dhe një procedure të përshpejtuar, pa debat publik dhe pa konkurrencë reale. Kuvendi u kthye në një noter të një marrëveshjeje të negociuar jashtë vëmendjes publike.

Edhe për Portin e Vlorës u përdor një kombinim ligjesh dhe vendimesh të posaçme, duke mbetur e paqartë pjesëmarrja reale e shtetit dhe kushtet e partneritetit.

Në rastin e Aeroportit të Vlorës, qeveria tregoi se kur ka vullnet, mund të ndjekë formalisht procedura konkurruese, edhe pse procesi u shoqërua me ndryshime të diskutueshme të fituesve dhe partnerëve.

Këto raste tregojnë se interesi publik nuk matet përmes garës dhe kushteve të qarta, por përmes negociatave dhe vendimeve të marra në tryeza të mbyllura. Në shumë raste, shteti merr përsipër edhe kostot e infrastrukturës mbështetëse.

Nga renderët 3D te “negociimi” me arkitektët

Për Sazanin dhe Zvërnecin nuk po zhvillohet vetëm një negociatë financiare, por duket se po riformatohet edhe vetë projekti arkitektonik. Janë raportuar takime mes përfaqësuesve të qeverisë, Ivanka Trump dhe një grupi të gjerë arkitektësh ndërkombëtarë, pa u bërë e qartë roli formal i tyre dhe mënyra e përzgjedhjes.

Kjo nënkupton se diskutimi ka kaluar nga pyetja “a do të bëhet projekti” në “si do të bëhet”, duke e zhvendosur procesin në fazën e bashkë-projektimit, pa transparencë dhe pa një kornizë të qartë ligjore.

Nëse projekti po rikonceptohet gjatë negociatave, atëherë bie edhe justifikimi i “ofertës së pakërkuar”, pasi nuk kemi më një propozim të mbyllur për t’u vlerësuar, por një proces të hapur riformësimi jashtë syrit publik.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura për transparencë, ende mungojnë përgjigje thelbësore: çfarë do të ndërtohet realisht në Sazan dhe Zvërnec, çfarë po ofron konkretisht shteti shqiptar, çfarë po marrin investitorët dhe, mbi të gjitha, çfarë përfiton publiku shqiptar nga ky proces.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033