Hiqej si avokate dhe premtonte zgjidhje të shpejtë të çështjeve ligjore, Prokuroria Fier dërgon për gjykim një shtetase për mashtrim.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen Klotilda Kola, e akuzuar për veprat penale “Mashtrimi”, i kryer më shumë se një herë, dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Hetimet lidhen me procedimin penal nr. 768 të vitit 2025, i regjistruar pas kallëzimeve të disa qytetarëve. Sipas Prokurorisë, e pandehura është prezantuar për një periudhë të gjatë kohore si avokate, duke përfituar shuma monetare nga qytetarë të ndryshëm përmes mashtrimit.
Nga hetimi ka rezultuar se ajo u ka premtuar viktimave zgjidhjen e çështjeve të ndryshme ligjore, administrative dhe gjyqësore, si legalizime pronash, procedura pensioni, çështje pronësie, si dhe përfaqësim në procese civile, kundrejt pagesave financiare. Megjithatë, këto shërbime nuk janë realizuar, pavarësisht se paratë janë marrë.
Pagesat janë kryer në forma të ndryshme, përfshirë dorëzime në dorë, transferta bankare dhe pagesa të justifikuara si kapar apo shpenzime procedurale. Në disa raste, viktimat janë siguruar se procedurat ishin në proces dhe se çështjet do të përfundonin brenda afateve të caktuara, ndërsa më pas komunikimi me të pandehurën është ndërprerë, pa asnjë rezultat konkret.
Po ashtu, sipas verifikimeve, në disa episode janë dhënë informacione të pavërteta për ekzistencën e proceseve gjyqësore apo aplikimeve administrative, të cilat pas kontrollit pranë institucioneve përkatëse nuk kanë rezultuar të jenë kryer. Në këtë procedim penal janë evidentuar si të dëmtuar 8 shtetas, kryesisht banorë të Lushnjës dhe Fierit.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se e pandehura ka ushtruar veprimtari që krijonin përshtypjen e përfaqësimit ligjor në një kohë kur nuk kishte status aktiv për ushtrimin e profesionit të avokatit. Paralelisht, ajo ka përfituar të ardhura nga ky aktivitet pa i deklaruar pranë organeve tatimore. Sipas të dhënave zyrtare, për disa vite ajo ka ushtruar aktivitet ekonomik faktik, ndërkohë që figuronte me status pasiv në regjistrat tatimorë, duke shmangur detyrimet përkatëse fiskale.