Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Kuvend ndaj akuzave të deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët pretendojnë se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë dollarë për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes.
Gjatë fjalës së tij, Rama i cilësoi këto pretendime si të pavërteta dhe ironizoi etiketimet e opozitës, duke thënë se sa herë që e quajnë “Ramaduro”, ai e dëgjon si “Rama duro”. Sipas tij, këto sulme nuk kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë rritur durimin.
Kryeministri mohoi çdo kosto të tillë financiare për Shqipërinë dhe u shpreh se opozita ka ngritur akuza të rënda pa asnjë bazë, përfshirë pretendimet se vendi do të përballej me pasoja financiare apo demografike nga kjo nismë ndërkombëtare. Ai sfidoi opozitën që, nëse ka prova, t’i çojë pretendimet në institucionet e drejtësisë.
Rama iu drejtua deputetëve opozitarë duke kërkuar që akuzat të formalizohen përmes denoncimeve zyrtare dhe jo përmes deklaratave politike, duke theksuar se, sipas tij, të njëjtat parashikime të errëta janë rrëzuar edhe më parë nga zhvillimet reale.
Reagimi i kryeministrit vjen në vijim të debateve të forta politike në Kuvend lidhur me aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe pas miratimit të kësaj nisme nga qeveria, e cila pritet të ratifikohet nga Parlamenti.