Apartamente me qira të kthyer në baza prostitucioni, Policia çmonton rrjetin në Tiranë dhe arreston katër persona

Policia e Tiranës ka zbuluar dhe goditur një rrjet prostitucioni që vepronte në tre apartamente të marrë me qira në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke arrestuar katër persona dhe proceduar penalisht dy të tjerë.

Operacioni policor, i koduar “Network”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe hetimeve të kryera për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale. Sipas të dhënave zyrtare, prostitucioni ushtrohej në apartamente të ndodhura në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Hoxha Tahsim” dhe “Myslym Shyri”.

Në pranga u vunë tre shtetase kolumbiane, të moshave 21, 25 dhe 35 vjeçe, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament në rrugën “Ibrahim Rugova”. Po ashtu, u arrestua një shtetas spanjoll, 26 vjeç, i cili dyshohet se shfrytëzonte këto shtetase për këtë veprimtari të paligjshme.

Ndërkohë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe dy shtetase shqiptare, të cilat dyshohet se ushtronin prostitucion në dy apartamente të tjera të marrë me qira, njëri në rrugën “Hoxha Tahsim” dhe tjetri në rrugën “Myslym Shyri”.

Gjatë kontrolleve në ambientet e përdorura për këtë aktivitet, Policia sekuestroi një shumë parash të dyshuar të përfituar nga prostitucioni, si dhe disa aparate celularë, të cilët u administruan në cilësinë e provës materiale.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033