Vajza e Donald Trump në Vlorë, takim me arkitektë për Sazanin dhe Zvërnecin, darkë me Kryeministrin Rama

Ivanka Trump ndodhet në qytetin bregdetar të Vlorë. Gjatë paradites u bë e ditur se në vendin tonë ndodhej edhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner. Çifti u ndal fillimisht në një hotel në zonën e Ujit të Ftohtë, ku u zhvillua një takim me një grup arkitektësh të huaj për investimet e mundshme në Ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec. Në mbrëmje, gjatë takimit të Ivanka Trump me Kryeministrin Rama, Kushner nuk u pa në praninë e tyre.

Vajza e presidentit të SHBA-së, Ivanka Trump, u ndal edhe në zonën e hidrovorit në Akerni, një territor i njohur për potencialin e lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike. E shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, ajo inspektoi nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit. Vizita u përqendrua në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.

Në mbrëmje, Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë u takuan me Kryeministrin Edi Rama në një kompleks në Vlorë. Në fokus të takimeve ishin investimet e mundshme strategjike në qytetin bregdetar të jugut. Pas darkës, dyshja qëndroi për disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer një bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka u shoqërua nga masa të rrepta sigurie. Më pas, Ivanka Trump u largua me automjet së bashku me Kryeministrin në drejtim të Orikumit, ku kanë darkuar në një tjetër restorant.

Sipas burimeve, Ivanka Trump është akomoduar në një prej hoteleve luksoze në zonën e Ujit të Ftohtë, larg vëmendjes publike. Gjatë lëvizjeve të saj në qytet është zbatuar një strategji sigurie e rrallë për Vlorën: ndërrimi i automjetit në çdo ndalesë. Kjo masë është marrë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm dhe për të mos krijuar një itinerar të parashikueshëm, duke treguar nivel të lartë sigurie dhe diskrecioni. Lëvizjet janë kryer në mënyrë të fragmentuar dhe pa paralajmërim, ndërsa çdo ndalesë është shoqëruar nga staf sigurie i specializuar.

Zona e Akernisë, e konsideruar prej kohësh si një nga pikat me potencial të madh për investime turistike, ofron kushte natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, çka e bën tërheqëse për projekte afatgjata në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik. Vizita ka ngjallur interes dhe vëmendje, duke përforcuar idenë se kjo zonë mund të shndërrohet në një pikë kyçe për investime të ardhshme.

Sipas informacioneve paraprake, Kushner pritet të qëndrojë gjatë gjithë ditës së sotme në Vlorë, ndërsa temat e diskutimit lidhen drejtpërdrejt me projektet e pritshme zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.

Qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë së Kushnerit statusin e “investitorit strategjik” për zhvillimin e një resorti luksoz turistik në Ishullin e Sazanit, një projekt me vlerë të parashikuar rreth 1.4 miliardë euro. Projekti synon transformimin e ish-bazës ushtarake në një resort elite, me hotele dhe vila.

Kjo është hera e dytë që dhëndri i presidentit amerikan viziton Vlorën, çka tregon një interes të vazhdueshëm për këtë zonë dhe për projektet që mund të zhvillohen në të ardhmen.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033