Një aksident i rëndë në punë ka ndodhur pasditen e sotme në Tiranë, ku një punëtor ndërtimi ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një betoniere.
Sipas Policisë, viktima është shtetasi R. R., 58 vjeç, i cili u dëmtua rëndë gjatë punës në një kantier ndërtimi, pasi pompa e betonierës u rrëzua në rrethana që po hetohen. Pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në lidhje me ngjarjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë arrestuar drejtuesin e mjetit të punës, shtetasin E. L., 36 vjeç, i cili dyshohet se drejtonte betonierën në momentin e aksidentit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.