Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ironizuar presidentin francez Emmanuel Macron gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pas kritikave që ky i fundit kishte shprehur një ditë më parë ndaj politikave amerikane.
Duke iu referuar paraqitjes së Macron gjatë fjalimit të tij, Trump u shpreh se presidenti francez “bëri të fortin me ato syze dielli”, të cilat Macron i kishte mbajtur për shkak të një problemi shëndetësor me sytë. Komenti u bë në mënyrë ironike dhe u shoqërua me reagime në sallë.
Megjithatë, Trump shtoi se, pavarësisht kritikave, ai ka një marrëdhënie personale pozitive me homologun e tij francez. “Nuk do ta besoni, por më pëlqen Emmanuel-i”, deklaroi presidenti amerikan gjatë fjalës së tij.
Shkëmbimi i deklaratave vjen në një klimë tensionesh politike dhe ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve evropiane, të theksuara edhe gjatë diskutimeve të zhvilluara në Davos mbi tregtinë, tarifat dhe marrëdhëniet transatlantike.