GJKKO shpall dënimet për vrasjen e Santiago Malkos, 30 vite burg për Leonard Dukën dhe pafajësi për vëllain e tij

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin përfundimtar për çështjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur më 27 gusht 2019 në Tiranë, duke dënuar në total me 130 vite burg anëtarët e grupit të përfshirë në krim.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Leonard Duka është dënuar me 30 vite burg. Ai u arrestua në Belgjikë në shkurt të vitit 2024 dhe u ekstradua në Shqipëri në gusht të po atij viti për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.

Me nga 25 vite burg janë dënuar edhe Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga, të cilët u shpallën fajtorë për përfshirjen e tyre në vrasjen e Malkos.

Ndërkohë, Elis Duka, vëllai i Leonard Dukës, është shpallur i pafajshëm, pasi gjykata çmoi se nuk u provua përfshirja e tij në veprën penale.

Për këtë ngjarje, në një proces të ndarë gjyqësor, janë dënuar më herët edhe Blendi Teta me 25 vite burg dhe Ilir Selmani me 26 vite burg.

Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e njohur si “Xhamlliku” në Tiranë, ku u qëllua me breshëri plumbash. Ai ishte ish-punonjës i Policisë së Shtetit, i larguar nga detyra pas një arrestimi të mëparshëm, dhe njihej nga autoritetet si person i dyshuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale.

Çështja e vrasjes së Malkos konsiderohet një nga dosjet më të rënda të trajtuara nga Gjykata e Posaçme, ndërsa vendimi i sotëm mbyll një kapitull të rëndësishëm të këtij procesi penal.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033