Janë publikuar fotot e tre personave të arrestuar, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me shitjen e armëve të zjarrit në Tiranë, kryesisht në zonat e Tufinës dhe Freskut.
Të arrestuarit janë Artur Brahimaj, Artur Rushiti dhe Ilir Zyberi. Sipas të dhënave hetimore, grupi siguronte armët nga jashtë kryeqytetit dhe më pas i shiste ato në Tiranë, me çmime që arrinin deri në 800 euro për armë.
Hetimet paraprake tregojnë se veprimtaria e tyre ishte e organizuar dhe e shtrirë në disa zona të kryeqytetit, ndërsa armët dyshohet se përdoreshin ose rishiteshin për qëllime kriminale.
Autoritetet po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së grupit dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.