Nga Fieri drejt Tiranës, goditet rrjeti i trafikut të armëve në Tufinë dhe Fresk, në pranga tre persona me precedentë të rëndë penalë

Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal të trafikut të armëve që vepronte nga Fieri drejt kryeqytetit, me synim shitjen e armëve të zjarrit në zonat e Tufinës dhe Freskut. Si rezultat i operacionit policor të koduar “Anëtarët”, janë arrestuar tre persona dhe është shpallur në kërkim një i katërt, ndërsa janë sekuestruar pesë armë zjarri dhe municion luftarak.

Operacioni u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, pas një hetimi proaktiv që zgjati rreth tre muaj dhe u drejtua nga Prokuroria e Tiranës. Ndërhyrja u krye në zonën e Unazës së Madhe, në Tufinë, ku dy prej të dyshuarve u kapën në flagrancë teksa tentonin të shisnin dy armë zjarri kallashnikov, të fshehura brenda një automjeti tip “Volkswagen”.

Në pranga u vunë shtetasit Ilir Zyberi, 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje, Artur Brahimaj, 63 vjeç, i dënuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mashtrim, si dhe Artur Rushiti, 46 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.

Gjatë kontrollit, përveç dy kallashnikovëve, Policia sekuestroi edhe tre pistoleta dhe municion luftarak. Sipas hetimeve, armët shiteshin me vlerë nga 700 deri në 800 euro për copë dhe dyshohet se ishin destinuar për grupe të tjera kriminale në Tiranë, me qëllim përdorimin e tyre në ngjarje të rënda kriminale.

Nga verifikimet rezulton se armët silleshin nga Fieri, ku dyshohet se grupi kishte bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët janë aktualisht nën hetim. Policia sqaron se ky grup nuk ka lidhje me rrjete të tjera të trafikut të armëve të goditura në muajt e fundit në kryeqytet.

Një prej të arrestuarve, Ilir Zyberi, i njohur edhe me mbiemrin Avdillari, ka precedentë të theksuar kriminalë. Ai ka qenë pjesë e bandës së Yzberishtit dhe është dënuar më parë me 22 vite burg për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rossi, dënim të cilin e ka shlyer. Pas kësaj, ai u arrestua sërish në vitin 2017 për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Materialet procedurale për këtë çështje i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033