Pasuri të pajustifikuara, Prokuroria e Vlorës sekuestron 400 mijë euro të Arjan Rrokajt

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 400 mijë euro në pronësi të Arjan Rrokajt, i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Vlorës, sekuestrimi është kryer në kuadër të një procedimi penal për veprën e “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi nga hetimet ka rezultuar se pasuritë e krijuara nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë disa apartamente në Vlorë dhe Tiranë, njësi shërbimi, si dhe tre automjete luksoze, të regjistruara në emër të Rrokajt dhe familjarëve të tij. Konkretisht, janë sekuestruar dy apartamente në qytetin e Vlorës, një apartament në Tiranë, një njësi me funksion garazhi ose zyre, si dhe automjete të markave “Toyota Corolla”, “Volvo XC60” dhe “Mercedes-Benz GLA”.

Prokuroria bën me dije se Arjan Rrokaj është dënuar më parë nga Gjykata e Breshias në Itali me 8 vite burg për trafik droge dhe organizatë kriminale. Në mars të vitit 2025, ai u arrestua në Vlorë me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian për vuajtjen e plotë të dënimit.

Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për të gjitha pasuritë e identifikuara, me vlerë totale rreth 400 mijë euro. Hetimet për këtë çështje vijojnë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033