Kuvendi i Shqipërisë ka hartuar një projekt për krijimin e një kanali të vetin televiziv, me qëllim transmetimin e drejtpërdrejtë të veprimtarisë parlamentare dhe prodhimin e përmbajtjeve informative mbi punën e institucionit. Projekti parashikon një investim prej rreth 500 mijë eurosh gjatë vitit 2026.
Sipas dokumentacionit të paraqitur për miratim në Byronë e Kuvendit, nisma synon ngritjen e një “Media Room”-i, të konceptuar si një qendër multimediale e përhershme, që do të funksionojë si redaksi televizive profesionale brenda Kuvendit dhe do të bashkëpunojë ngushtë me RTSH-në për transmetimin në kanalin “RTSH Kuvend”.
Në relacion theksohet se struktura e re do të ketë tre funksione kryesore: informues, për të përcjellë në mënyrë transparente veprimtarinë parlamentare për qytetarët; analitik, për të shpjeguar proceset legjislative dhe reformat; si dhe edukues, për të ndihmuar publikun të kuptojë rolin dhe funksionimin e Kuvendit.
Në fazën fillestare, parashikohet një redaksi me staf të reduktuar dhe prodhim të përmbajtjeve bazë, përfshirë transmetime “live” të seancave dhe komisioneve, kronika informative dhe intervista. Programacioni do të realizohet në bashkëpunim me RTSH-në, e cila do të sigurojë transmetimin dhe arkivimin e materialeve.
Investimi prej 500 mijë eurosh do të përdoret për ngritjen e një studioje televizive moderne, pajisje të plota audio-video, zhvillimin e platformës publike televizive të Kuvendit dhe integrimin e shërbimeve mbështetëse, përfshirë titrimin, komentimin opsional dhe gjuhën e shenjave për seancat parlamentare.
Sipas projektit, kanali parlamentar do të synojë një pasqyrim të strukturuar dhe të kuptueshëm të veprimtarisë së Kuvendit, duke kombinuar informimin e menjëhershëm me analiza tematike dhe përmbajtje edukative, të shpërndara përmes RTSH Kuvend, platformave online dhe rrjeteve sociale.