Video: Fjala e plotë e Sali Berishës në seancën e sotme plenare

TIRANË – Ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer në Kuvend pas 11 muajsh nën masën e arrestit shtëpiak, duke mbajtur një fjalim të fuqishëm ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për tentativa për eliminimin e opozitës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha komentoi edhe mbi buxhetin për vitin 2025 dhe ngjarjen tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Çani.

“Unë erdha, ju e dini vetë. E shoh çehren që ju ka rënë. Ju bëfshi mirë vetes!” – e nisi Berisha, duke ironizuar gjendjen e mazhorancës pas rikthimit të tij. Ai theksoi se Rama kishte synuar të realizonte “ëndrrën” për të mos e parë më në Kuvend, duke e konsideruar këtë si një përpjekje për të shuar pluralizmin në Shqipëri.

Berisha kujtoi datën 21 dhjetor 2022, kur Kuvendi vendosi ta largonte atë nga salla me një vendim që, sipas tij, ishte i mbushur me “pasion dhe histeri”. “Gjysma prej jush tentuan atë ditë të varrosnin demokracinë. Votuat kundër së drejtës së fjalës, sepse fjala ime tmerronte narko-diktatorin dhe shumë prej jush,” tha Berisha.

Në fjalën e tij, ai e krahasoi këtë ngjarje me eliminimin e opozitës në dhjetor të vitit 1946 nga regjimi i Enver Hoxhës, duke akuzuar Ramën se po ndjek të njëjtën rrugë për të eliminuar zërat kundërshtarë. Sipas tij, arrestimi ishte i pabazuar, pa asnjë provë apo dokument.

Berisha e shfrytëzoi momentin për të akuzuar dhe faktorin ndërkombëtar, duke thënë se disa forca perëndimore, të influencuara nga George Soros, kishin mbështetur këtë axhendë. “Kjo ishte një përpjekje për të kontrolluar vullnetin politik të shqiptarëve, njësoj si etërit e Ramës,” shtoi ai.

Me një ton triumfal, Berisha deklaroi rikthimin e tij si “fitimtar” dhe e përshkroi Ramën si “hajdutin më të madh në historinë e kombit shqiptar” dhe “armikun më të egër të qenies shqiptare”. “Rama nxin si banor i bodrumeve më të zeza të mafies shqiptare,” vijoi Berisha, duke përforcuar akuzat për korrupsion dhe kapjen e shtetit.

Në fund, Berisha u shpreh se rikthimi i tij në Kuvend është një mesazh i qartë për mazhorancën: opozita është gjallë dhe nuk do të ndalet pavarësisht përpjekjeve për ta heshtur. “Sot jam këtu për të vazhduar betejën për liri dhe demokraci,” përfundoi ai.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera