Kreditë konsumatore do t’u kushtojnë më pak qytetarëve deri në korrik të këtij viti, pasi Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë më tej normat maksimale të interesit që aplikohen për këto hua, si në banka ashtu edhe në institucionet e mikrofinancës.
Sipas vendimit të fundit, për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë, norma maksimale e interesit do të jetë 54.8 për qind, nga 62.2 për qind që ishte më parë. Për huatë nga 200 deri në 600 mijë lekë, interesi maksimal është përcaktuar në 35.4 për qind, ndërsa për shumat nga mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, norma maksimale zbret në 14.7 për qind. Kreditë me vlerë nga 2 deri në 10 milionë lekë do të kenë një interes maksimal prej 11.94 për qind.
Banka e Shqipërisë ka rikujtuar gjithashtu institucionet bankare dhe jo-bankare se duhet të respektojnë rregulloren edhe për penalitetet në rast vonesash në pagesa. Sipas rregullave në fuqi, shuma e penaliteteve nuk mund të tejkalojë 30 për qind të kësteve të papaguara.
Vendosja e një tavani për normat maksimale të interesit për kreditë konsumatore është një masë që Banka e Shqipërisë e miratoi në vitin 2021 dhe e bëri të detyrueshme nga viti 2022, pas konstatimit të praktikave abuzive nga disa institucione jo-bankare, të cilat aplikonin norma shumë të larta interesi, veçanërisht për kreditë e vogla dhe pa kolateral. Sipas të dhënave zyrtare, përpara hyrjes në fuqi të rregullores, norma maksimale e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë kishte arritur deri në 171.41 për qind.
Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që paguan një kredimarrës për kredinë e marrë, përfshirë interesin, komisionet, shpenzimet administrative dhe primet e sigurimit, kur këto janë të detyrueshme.
Gjatë vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë i ka propozuar gjithashtu Ministrisë së Ekonomisë që në ligjin e ri “Për Mbrojtjen e Konsumatorit” të përfshihet edhe një tavan ligjor për normat e interesit të kredive konsumatore, me qëllim forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes së qytetarëve.