Ku është sot Edi Rama?

Më 20 janar 2026, sipas “burimeve të sigurta”, Edi Rama duhej të ishte rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jo për vizitë pune, jo për ndonjë samit, por – sipas pretendimit – me avokat me vete, sepse “e kishte punën pisk”. Kështu u raportua publikisht nga gazetarja Anduena Llabani, e cila paralajmëroi se kryeministri do të merrej në pyetje për çështjen McGonigal dhe “kusure të tjera”.

Sot është 20 janar. Rama nuk është në ajër. Nuk është në avion. Nuk është në SHBA. Dhe, për aq sa dihet, nuk po shoqërohet nga askush për “t’u pyetur si person në dijeni”.

Deklarata u bë dy javë më parë, në datën 7 janar 2026, në një studio televizive, me tone sigurie absolute. Sipas gazetares, informacioni vinte nga burime të besueshme “në të gjitha kontinentet”. Madje edhe skenari ishte gati: Rama shoqëruar me avokat, thirrur për llogari, i përfshirë në hetime që do të “trondisnin Shqipërinë”.

Në paraditen e sotme, Edi Rama u pa normalisht në zyrë. Por sipas versionit të imagjinatës së lirë, kjo nuk përjashton që pasdite të merret me helikopter, të çohet në ndonjë bazë sekrete dhe të niset drejt SHBA-ve, gjithnjë me avokat me vete. Se burimet, kur janë “shumë të sigurta”, nuk gabojnë kurrë. Thjesht… vonohen.

Nuk është hera e parë që këto burime “tradhtojnë”. Më 17 dhjetor 2025, u tha se Rama do të thirrej në SPAK deri në fund të muajit. Po atë ditë, u deklarua edhe se ishin gjetur 20 milionë dollarë në emër të Belinda Ballukut. Asnjëra nuk ndodhi. Por as kjo nuk e ndali vrullin.

Thuajse çdo dalje televizive shoqërohet me “zhvillime bombastike”, data konkrete dhe siguri që sfidon edhe parashikimet mistike. Një gazetari që nuk informon, por paralajmëron. Nuk verifikon, por shpall. Nuk pyet, por vendos data.

Kjo nuk është gazetari. Nuk është as sensacionalizëm i pafajshëm. Është një llum informativ që po minon seriozisht besimin e publikut te mediat dhe, më keq akoma, po djeg edhe gazetarët që përpiqen të bëjnë punën me përgjegjësi.

Ironia nuk mungoi. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, reagoi publikisht, duke e kujtuar “lajmin e sigurt” të 13 ditëve më parë dhe duke nënvizuar se sot ishte dita e madhe. Dita kur Rama, sipas versionit të atëhershëm, duhej të ishte nisur “si cjapi te kasapi”, për t’u marrë nga FBI dhe për t’u pyetur për çështje që do të trondisnin vendin.

“Sot pra është dita… Presim tronditjen…”, shkruante Manjani me ironi, duke shtuar se as moti nuk ishte i favorshëm për fluturime me helikopter, por gjithsesi… pritej.

Dita kaloi. Tronditja nuk erdhi.

Dhe bashkë me të, edhe një herë tjetër, u ekspozua një problem i madh: kur “burimet e sigurta” përdoren si licencë për të mashtruar publikun pa kosto, gazetaria kthehet në karikaturë. Dhe publiku, gjithnjë e më shumë, e humb besimin – jo vetëm te ata që shpikin, por edhe te ata që heshtin.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033