Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, deklaroi se Shqipëria po përgatit një ligj të ri për median audiovizive, i cili parashikon rritjen e transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave, si edhe dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët.
Deklaratat u bënë gjatë një konference për mediat me temë “Faza e re e negociatave me Bashkimin Europian dhe angazhimi politik e qytetar për t’ia dalë mbanë”, ku Gogu u ndal te roli i medias në procesin demokratik dhe integrues të vendit.
Sipas ministrit, ligji i ri synon t’i japë publikut informacion të qartë mbi pronarët e mediave dhe subjektet që i financojnë ato, duke forcuar besimin dhe transparencën në tregun mediatik. Ai theksoi se platforma për median ka nisur tashmë punën dhe po përgatit propozime konkrete për nisma ligjore në këtë drejtim.
Gogu u ndal edhe te mbrojtja e gazetarëve, duke theksuar se dekriminalizimi i shpifjes është një element kyç i paketës ligjore. Sipas tij, gazetarët do të çlirohen nga barra penale e shpifjes, kur raportimi bëhet në mirëbesim dhe në funksion të informimit të publikut.
Ai e cilësoi median si një mision jetik për demokracinë dhe theksoi se ndryshimet ligjore synojnë të fuqizojnë rolin e saj, duke garantuar një mjedis më të sigurt dhe më transparent për ushtrimin e profesionit gazetaresk.