Partnerët e shitjeve të kompanive që tregtojnë suplemente bimore online keqpërdorin imazhin e mjekëve dhe figurave publike përmes skemave të marketingut mashtrues.
Një postim në Facebook, që i atribuohet mjekut Ilir Alimehmeti, endokrinolog dhe këshilltar bashkiak në Tiranë, paralajmëron se “9 nga 10 njerëz janë të infektuar me parazitë”, ndërsa premton një recetë “shtëpiake” që do t’i çlirojë pacientët nga “deri në dy kilogramë krimba brenda natës”.
Një klikim mbi postimin e çon lexuesin në një faqe që paraqitet si portali i lajmeve Newsbomb.al, ku publikohet ajo që duket si një intervistë me Alimehmetin. Në tekst, mjeku citohet duke promovuar një preparat të quajtur “Germostop”, i cili pretendohet se pastron trupin nga parazitët dhe zgjidh një sërë problemesh shëndetësore.
Në fund të artikullit shfaqet një element interaktiv në formën e një rulete. Duke e rrotulluar atë, përdoruesve u ofrohet një ulje prej 50 për qind në çmimin e produktit, e shoqëruar me një formular porosie dhe një numërues kohor që u jep vetëm dhjetë minuta për të përfunduar blerjen.
E parë me kujdes, faqja rezulton të jetë një klon i portalit origjinal dhe intervista duket e rreme. Megjithatë, nëse plotësohet formulari me të dhënat personale, porosia bëhet reale. Pak minuta pasi ajo dërgohet, një specialiste produkti telefonon për të finalizuar shitjen e preparatit, duke premtuar efikasitet ndaj një liste të gjatë simptomash.
Klonimi i faqes së një medie, teksti që nxit alarm si dhe keqpërdorimi i imazhit të një mjeku të njohur, pasqyrojnë një model të njohur marketingu mashtrues në internet.
Por “Germostop” është vetëm maja e ajsbergut.
Nëpërmjet metodave kërkimore të hapura (OSINT), u zbulua se në rrjetet sociale dhe në internet reklamohen një duzinë suplementesh të ngjashme çudibërëse – për shëndetin, potencën seksuale apo humbjen e peshës së tepërt.
Pas këtyre suplementeve duket se qëndron një kompani nga Bosnje dhe Hercegovina e quajtur “MonetizeAd d.o.o – Limited Charm”, e cila ka një degë në Tiranë dhe ka fituar një reputacion famëkeq në rajon.
Mjekët dhe personazhet publike të cilëve u është keqpërdorur emri dhe imazhi për të promovuar shitjen e këtyre suplementeve bimore, paralajmërojnë se dëmi është i shumëfishtë.
Dr. Ilir Alimehmeti thotë se reklama e “Germostop” është e rrezikshme, pasi i largon pacientët nga trajtimi mjekësor i bazuar në evidenca dhe protokolle, ndërsa i shtyn ata ta zëvendësojnë atë me preparate të panjohura, për të cilat nuk ka asnjë garanci nëse janë të dëmshme apo të padëmshme.
“Vetë fakti që nuk merret leje për përdorimin e emrit dhe fotos së mjekëve tregon mashtrimin që u kryhet qytetarëve vetëm e vetëm për të përfituar para në rrugë të errëta dhe në kurriz të shëndetit të tyre”, tha ai.
“Qëllimi i tyre është vetëm përfitimi financiar dhe ata shkaktojnë edhe dëm të qartë ekonomik për qytetarët, në kurriz të jetës dhe shëndetit”, shtoi Alimehmeti, ndërsa i këshilloi qytetarët të mos i marrin fare në konsideratë këto produkte, madje t’i raportojnë menjëherë te autoritetet si mashtrime për zhvatjen e parave.
Kompania MonetizeAd nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Keqpërdorimi i imazhit
Dr. Ilir Alimehmeti nuk është figura e vetme publike, imazhi i të cilit është keqpërdorur në fushata mashtruese reklamash për suplemente bimore. Një prej tyre është edhe mjeku infeksionist Arjan Harxhi.
Ai thekson se këto reklama janë në shkelje të ligjit, pasi bëhen pa pëlqimin e tij dhe duke mashtruar publikun përmes përdorimit të imazhit.
“Organet përkatëse të zbatimit të ligjit duhet t’i identifikojnë dhe dënojnë autorët”, shprehet Harxhi.
Edhe mjekja infeksioniste Monika Dede e ka gjetur veten në një prej këtyre faqeve, ku pretendohej se ajo reklamonte një produkt për trajtimin e parazitëve.
“Mendoj se ekziston rreziku që qytetarët të mashtrohen dhe të përdorin këto preparate, duke qenë se i rekomandon një mjek,” tha Dede.
“Pasojat mund të jenë të rrezikshme, duke qenë se janë preparate të pakontrolluara dhe të pamiratuara nga Agjencia e Barnave, pasi mund të përmbajnë lëndë të rrezikshme për trupin e njeriut”, shtoi ajo.
Viktima të reklamave mashtruese në rrjete sociale nuk kanë qenë vetëm mjekët. Edhe gazetarja Iva Tiço ka pasur të njëjtin fat.
Një profil i rremë, që ka përdorur emrin dhe fotografinë e saj, ka shpërndarë në Facebook reklama për një produkt dobësimi të quajtur “Metafix”.
Sipas gazetares, këto postime, përveç rreziqeve shëndetësore që mund të sjellin për qytetarët, krijojnë edhe një gjuhë urrejtjeje ndaj figurave publike.
“Bëhej fjalë për një mashtrim për të përdorur kartën e kreditit; me foton time pretendohej se do të blinin një kurë magjike që zgjidhte problemet e tretjes dhe reduktonte dhjamin e barkut,” tregon Tiço.
Iva Tiço shprehet se është detyruar të reagojë për rastin, por kjo nuk i ka ndalur fyerjet në drejtim të saj.
“Po, kam marrë të shara dhe mallkime,” tha ajo. “Edhe pse në një rast bëra një koment sqarues, ku i paralajmërova se ishte mashtrim, komentet vijuan me mallkime edhe poshtë sqarimit tim”, shtoi Tiço.
Kush qëndron pas?
Duke përdorur metodën e kërkimit të kundërt të imazhit, u zbuluan një duzinë faqesh në rrjete sociale dhe internet që reklamojnë suplementin “Germostop” dhe “Metafix”, si dhe preparate të ngjashme.
Një prej tyre deklaron se është platformë tregtare e regjistruar në Burrel. Por kur u porosit një produkt, operatori deklaroi se ndodhej në Tiranë dhe punonte për kompaninë “Limited Charm”.
Kjo është një markë tregtare e kompanisë “MonetizeAd d.o.o.”. Ndryshe nga faqet klone, faqja kryesore e kompanisë përshkruan preparatet si suplemente që synojnë forcimin e sistemit imunitar, balancimin e metabolizmit dhe përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm.
Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se kompania ka regjistruar një degë në Shqipëri në qershor 2020, me aktivitet në marketingun online dhe shpërndarjen e produkteve me pagesë në dorëzim.
Përfaqësuesi ligjor i huaj është Ajdin Brković, i kallëzuar penalisht në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2024 për mashtrim, keqinformim të konsumatorëve dhe përdorim të paautorizuar të të dhënave personale.
Në Shqipëri, pasqyrat financiare tregojnë se në vitin 2024 kompania ka realizuar 140 milionë lekë të ardhura dhe 37 milionë lekë fitim.
Një kallëzim penal është regjistruar në vitin 2025 dhe çështja ndodhet në fazë verifikimi.
Mbikëqyrja e tregut
Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë vitit 2025 janë konstatuar dy raste të shitjes online të preparateve që reklamohen fiktivisht si barna, me procedime penale në gjendje të lirë.
Agjencia Kombëtare e Ushqimit deklaron se nuk ka pasur denoncime zyrtare për suplemente të paautorizuara, por vijon monitorimin e tregut.
Agjencia Kombëtare e Barnave argumenton se shtesat ushqimore nuk janë në fushën e saj të veprimit, ndërsa asnjë institucion nuk merr përgjegjësi direkte për produktet e shitura online.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk raporton raste pacientësh me komplikacione nga këto produkte.
Megjithatë, mjekët bëjnë thirrje që qytetarët të mos i përdorin këto preparate dhe të mos i besojnë reklamave online, edhe kur ato shoqërohen me figura të njohura publike.