Trump këmbëngul për tarifat mbi Groenlandën, rriten tensionet me aleatët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se do t’i zbatojë “100 për qind” kërcënimet për vendosjen e tarifave shtesë nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me Groenlandën.

I pyetur nëse do të përdorte forcën për të marrë kontrollin e ishullit, Trump u përgjigj me “pa koment”, duke mos e përjashtuar hapur këtë mundësi. Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni të shtuar diplomatik, pas paralajmërimeve për masa ekonomike ndaj vendeve që kundërshtojnë qëndrimin amerikan.

Ndërkohë, kryeministri i Groenlandës ka reaguar duke theksuar se vendi i tij nuk do të pranojë presione. Ai ka deklaruar se kërcënimet për tarifa dhe deklaratat e fundit nga Shtetet e Bashkuara nuk e ndryshojnë qëndrimin e Groenlandës për çështjen e sovranitetit.

Në një tjetër zhvillim, janë bërë publike mesazhe të Trump drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, ku presidenti amerikan shprehet se fakti që nuk është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen do të thotë se ai nuk ndihet më i detyruar të veprojë “vetëm duke menduar për paqen”.

Reagime ka pasur edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Kryeministri britanik Keir Starmer e ka cilësuar planin e Trump për vendosjen e tarifave ndaj tetë vendeve si “plotësisht të gabuar”, megjithëse ka lënë të kuptohet se Londra nuk synon një përshkallëzim përmes kundërmasave tarifore.

Gjatë fundjavës, Trump deklaroi se do të vendosë një tarifë prej 10 për qind mbi mallrat që vijnë nga tetë vende aleate të NATO-s duke nisur nga shkurti, nëse ato kundërshtojnë propozimin e tij për Groenlandën. Ai paralajmëroi gjithashtu se kjo tarifë mund të rritet deri në 25 për qind nga muaji qershor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033