Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij para Kryeministrisë, në kuadër të foltores që opozita organizon çdo të hënë, duke e cilësuar protestën e 24 janarit si një moment vendimtar për opozitën dhe për vendin.
Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke deklaruar se ajo do të jetë më e fuqishmja e zhvilluar ndonjëherë në Tiranë. Sipas tij, java në vijim është përcaktuese për mobilizimin dhe për atë që e quajti revoltë paqësore të shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Berisha iu referua zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke i cilësuar si provokime të rënda ndaj qytetarëve dhe duke thënë se është tejkaluar çdo normë morale dhe institucionale. Ai theksoi se shqiptarët po e presin 24 janarin si një ditë për të shprehur zemërimin dhe guximin e tyre.
Berisha deklaroi se protestat e mëparshme kanë pasur jehonë ndërkombëtare dhe se, sipas tij, zëri i opozitës është dëgjuar edhe jashtë vendit. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për bllokim të ligjit dhe shtetit ligjor, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si të lidhur me krimin dhe korrupsionin.
Në përfundim, kreu i PD u shpreh se, sipas tij, Shqipëria nuk mund të ketë kushtetutë dhe shtet ligjor pa përfshirjen dhe triumfin e qytetarëve dhe të demokratëve, duke bërë thirrje që më 24 janar protesta të jetë e vendosur dhe masive.