Goditi policin dhe iku me vrap, dosja zbardh arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit

Detaje të reja nga dosja hetimore hedhin dritë mbi arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, ku ai ishte shoqëruar për një kontroll mjekësor.

Sipas të dhënave, i paraburgosuri kishte shfaqur ankesa për dhimbje veshkash dhe ndodhej në pritje të një rikontrolli gjatë së njëjtës ditë. Gjatë qëndrimit në spital, ai kishte shkuar disa herë në tualet, gjithmonë nën shoqërimin e efektivëve të Policisë.

Momenti vendimtar ndodhi kur punonjësit hapën zgarën metalike për ta lejuar të shkonte sërish në tualet. Në atë çast, Altin Ndoci goditi me grusht në kraharor punonjësin e Policisë Fatjon Baçi, duke e rrëzuar atë mbi kolegun Sali Ferrollari. Të dy efektivët përfunduan në tokë, ndërsa i paraburgosuri përfitoi nga situata për t’u larguar me vrap.

Ndjekja vijoi përgjatë korridoreve dhe shkallëve të spitalit, por gjatë saj njëri prej efektivëve rrëshqiti dhe ra, duke humbur përkohësisht kontaktin. Pasi arritën në dalje, një e shtënë paralajmëruese në tokë u qëllua nga arma e shërbimit, por pa arritur të ndalojë të arratisurin.

Sipas dosjes, pas daljes nga spitali, Altin Ndoci u largua në drejtim të një zone kodrinore me një automjet të zi. Punonjësit e Policisë tentuan të njoftonin strukturat përkatëse, ndërsa rasti u referua menjëherë për ndjekje të mëtejshme.

Ngjarja mbetet objekt hetimi, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e të arratisurit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033