Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 152 të tjerë janë plagosur pas një aksidenti të rëndë hekurudhor të ndodhur mbrëmjen e së dielës në jug të Spanjës, ku dy trena u përplasën me njëri-tjetrin. Autoritetet spanjolle paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet.
Sipas autoriteteve rajonale të Andaluzisë, 24 nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë. Aksidenti konsiderohet përplasja hekurudhore më e rëndë në Spanjë në më shumë se dhjetë vite.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:40, kur vagonët e fundit të një treni me shpejtësi të lartë të operuar nga kompania private Iryo, që udhëtonte drejt Madridit, dolën nga shinat dhe kaluan në binarët e kahut të kundërt. Në atë moment, një tren i kompanisë shtetërore Renfe po udhëtonte drejt Huelvës, duke shkaktuar një përplasje të fortë dhe përmbysjen e dy vagonëve të parë të tij.
Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, deklaroi se prioritet absolut mbetet ndihma për viktimat dhe familjet e tyre. Ai e cilësoi aksidentin si “jashtëzakonisht të pazakontë”, duke theksuar se ndodhi në një linjë të drejtë dhe të rinovuar së fundmi.
Si pasojë e katastrofës, shërbimi hekurudhor me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve kryesore të Andaluzisë do të mbetet i pezulluar për gjithë ditën e hënë. Shoqëria shtetërore ADIF njoftoi se do të nevojiten të paktën 48 deri në 72 orë për të rikthyer funksionimin normal të infrastrukturës.
Shkaqet e daljes nga shinat të trenit Iryo, i cili transportonte rreth 300 pasagjerë, mbeten ende të paqarta. Hetimet janë në vijim, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet në zonën e aksidentit.