Ministria e Arsimit ka nisur hapat për përfshirjen e inteligjencës artificiale në kurrikulat shkollore, duke e konsideruar përdorimin e saj nga nxënësit si një realitet të pashmangshëm që kërkon rregullim dhe edukim të strukturuar.
Sipas planit të veprimit të Agjendës Digjitale për Arsimin 2025–2030, synohet që inteligjenca artificiale të përdoret në mënyrë të kontrolluar dhe etike në institucionet arsimore, me fokus zhvillimin e mendimit kritik, përgjegjësinë dhe mësimin e personalizuar.
Nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa”, të përfshirë në një projekt pilot për inteligjencën artificiale jashtë orarit zyrtar të mësimit, shprehen se përdorimi i teknologjisë u ka ndihmuar të përmirësojnë mënyrën e të mësuarit, pa zëvendësuar përpjekjen personale.
Sipas tyre, inteligjenca artificiale shërben kryesisht si mjet verifikimi, korrigjimi dhe analizimi i gabimeve, duke i nxitur të kuptojnë më mirë procesin e të mësuarit dhe jo të marrin zgjidhje të gatshme.
Edhe mësuesit e vlerësojnë integrimin e inteligjencës artificiale në arsim si të domosdoshëm, duke theksuar rëndësinë e etikës në përdorimin e saj. Ata nënvizojnë se nxënësit duhet të mësojnë ta shfrytëzojnë teknologjinë si mjet ndihmës dhe jo si zëvendësim të mendimit dhe përpjekjes personale.
Në kuadër të planit të Ministrisë së Arsimit parashikohet hartimi i udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale gjeneruese, ndërthurja e njohurive mbi AI në lëndën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, si dhe trajnime të detyrueshme për mësuesit e arsimit parauniversitar në fushën e pedagogjisë digjitale.