Greqia ndryshon ligjin e emigracionit, zgjidhen vonesat dhe hapet rruga për 90 mijë leje qëndrimi

Një projektligj i ri për emigracionin pritet të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si Greqia menaxhon lejet e qëndrimit, duke zgjidhur një nga problemet më kronike të administratës greke. Me hyrjen në fuqi të ligjit, rreth 90 mijë leje qëndrimi të prapambetura pritet të zhbllokohen menjëherë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjera brenda dy viteve.

Aktualisht, rreth 293 mijë aplikime për leje qëndrimi janë në pritje, një situatë që ka krijuar pasiguri ligjore për emigrantët dhe vështirësi të mëdha për punësimin e tyre. Projektligji synon t’i japë fund kësaj gjendjeje, duke futur rinovimin automatik të lejeve në rastet kur nuk ka ndryshime reale në statusin e aplikantit.

Ministri Thanos Plevris theksoi se Athina do të vazhdojë të jetë e ashpër ndaj emigrimit të paligjshëm, por paralelisht po ndërton një sistem më realist për migrimin e ligjshëm, në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe mungesën e fuqisë punëtore në disa sektorë.

Ligji i ri parashikon që çdo leje qëndrimi të ketë vlefshmëri minimale dyvjeçare, duke mbrojtur emigrantët nga pasojat e vonesave administrative. Po ashtu, u jepet një mundësi e dytë personave që janë refuzuar më herët për arsye procedurale, për të riaplikuar dhe korrigjuar mangësitë.

Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe në rekrutimin e punëtorëve nga vende të treta, me procedura më të shpejta për sektorë si bujqësia dhe ndërtimi, si dhe me mundësi më të mëdha lëvizjeje për punëtorët pa humbur statusin e qëndrimit ligjor.

Autoritetet greke e konsiderojnë këtë projektligj një hap të domosdoshëm për të stabilizuar sistemin e emigracionit, për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve të ligjshëm dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033