Presidenti Bajram Begaj ka nisur sot një vizitë zyrtare treditore në Moldavi, me ftesë të presidentes Maia Sandu, në një kohë kur të dy vendet ndodhen në procese të rëndësishme afrimi me Bashkimin Europian.
Vizita, e cila do të zgjasë deri më 20 janar, synon forcimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Moldavisë. Presidenti Begaj do të pritet zyrtarisht të hënën nga Presidentja Sandu, me të cilën do të zhvillojë bisedime në nivel të lartë.
Sipas Presidencës, në qendër të diskutimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe mbështetja reciproke në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në përfundim të takimeve, dy krerët e shteteve pritet të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku do të bëhen publike qëndrimet dhe angazhimet e përbashkëta të dy vendeve.