Policia ka arrestuar një 32-vjeçar në lidhje me ngjarjen e ndodhur të shtunën në Palasë, ku një punëtor humbi jetën pasi u godit aksidentalisht nga një mjet eskavator në një kompleks turistik në ndërtim.
Viktima është identifikuar si Kreshnik Haska, 45 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra gjatë punimeve në kantier.
Sipas policisë, i arrestuari është shtetasi Elidon Pashaj, 32 vjeç, banues në Vlorë. Ai dyshohet se gjatë një manovre të gabuar me fadromë ka goditur punëtorin, duke shkaktuar pasojën fatale.
Ndaj 32-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.