Një operacion i gjerë i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit ka zbuluar një rrjet të organizuar call center-ash në Tiranë, të cilët mashtronin qytetarë evropianë për investime të rreme në kriptomonedha, duke përdorur ambiente luksoze si mbulesë për aktivitetin kriminal.
Sipas SPAK, aktiviteti zhvillohej në dy kulla të njohura të kryeqytetit, “Atti Tower” dhe “Downtown One”, ku ishin ngritur qendra thirrjesh të mirëorganizuara, me staf shumëgjuhësh dhe role të ndara qartë. Hetimi u nxit nga materialet e një emisioni investigativ italian, i cili kishte dokumentuar nga brenda mënyrën e funksionimit të mashtrimit.
Në momentin që grupi dyshoi për ndërhyrje të autoriteteve, pajisjet u larguan nga “Atti Tower” gjatë natës dhe u transportuan drejt një ambienti tjetër. Ndërhyrja e shpejtë e BKH-së çoi në kapjen në flagrancë të disa personave dhe zbulimin e një call center-i tjetër në fazë ndërtimi.
Operacioni rezultoi në arrestimin e tetë personave, mes tyre Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi, ndërsa tre vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj janë shpallur në kërkim si organizatorë të dyshuar.
Gjatë kontrolleve në 28 ambiente, SPAK sekuestroi qindra kompjuterë, serverë, dokumente, pajisje memorizimi dhe një automjet luksoz Ferrari. Sipas hetimeve, fitimet nga mashtrimi transferoheshin përmes portofolëve të kriptovalutave të administruara nga drejtuesit e grupit.
SPAK thekson se hetimet janë në vijim, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe struktura të tjera ndërkombëtare, për të identifikuar të gjitha viktimat dhe për të zbardhur plotësisht rrjetin kriminal.