Pistoletë e fshehur në sediljen e motorit, policia arreston 24-vjeçarin në shëtitoren e plazhit në Durrës

Një ngjarje me rrezik potencial kriminal është parandaluar në Durrës, ku policia ka arrestuar një 24-vjeçar që qarkullonte i armatosur me armë zjarri pistoletë, të fshehur në sediljen e motomjetit që drejtonte.

Operacioni “Purpose” u finalizua pas bashkëpunimit mes Policisë së Durrësit dhe asaj të Kavajës, pasi u sigurua informacion se një shtetas nga Kavaja po lëvizte i armatosur drejt zonës së plazhit. Motomjeti u ndalua për kontroll në lagjen nr. 13, ku gjatë verifikimit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë “Glock” me municion luftarak.

I arrestuari është shtetasi Çim Kazazi, 24 vjeç, ndërsa pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi F.M., po ashtu 24 vjeç, u vu nën procedim penal për moskallëzim të krimit.

Policia bën me dije se i arrestuari është vëllai i Kid Kazazit, i njohur për një plagosje me armë zjarri të ndodhur më herët në Durrës dhe për angazhimin e tij të mëparshëm si kryetar i Forumit Rinor të PD-së në Kavajë.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar qëllimin e mbajtjes dhe lëvizjes me armë zjarri, ndërsa arma, municioni dhe motomjeti janë sekuestruar si prova materiale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033