Ambasadorët e BE-së thërrasin mbledhje urgjente pas kërcënimeve të Trump për tarifa mbi Groenlandën

Ambasadorët e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një mbledhje urgjente gjatë ditës së sotme, pas paralajmërimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve evropiane që kundërshtojnë planin e tij për aneksimin e Groenlandës.

Trump ka deklaruar se nga 1 shkurti synon të vendosë një tarifë prej 10 për qind për mallrat që eksportohen drejt SHBA-së nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda. Sipas tij, tarifat mund të rriten më pas deri në 25 për qind.

Kryeministri britanik Keir Starmer reagoi duke e cilësuar këtë plan si “krejtësisht të gabuar”, duke theksuar se tarifat ndaj aleatëve që veprojnë në kuadër të NATO-s cenojnë sigurinë kolektive dhe marrëdhëniet transatlantike.

Mbledhja urgjente e ambasadorëve të BE-së synon koordinimin e një qëndrimi të përbashkët politik dhe diplomatik, si dhe shqyrtimin e hapave të mëtejshëm përballë kërcënimeve ekonomike nga Uashingtoni.

Ndërkohë, protesta masive janë zhvilluar në Groenlandë dhe Danimarkë, ku mijëra qytetarë kanë kundërshtuar planet e Trump. Në Nuuk, protestuesit kanë mbajtur pankarta ku theksohet se Groenlanda u përket groenlandezëve, duke kërkuar respektimin e vullnetit të popullit vendas.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033