Bloomberg: Trump kërkon 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm në Bordin e Paqes për Gazën

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po u kërkon vendeve që synojnë një vend të përhershëm në Bordin e ri të Paqes për Gazën të kontribuojnë me të paktën 1 miliard dollarë. Lajmi bëhet i ditur nga Bloomberg, i cili ka siguruar një draft të kartës themeluese të këtij organi të propozuar.

Sipas dokumentit, Donald Trump do të shërbente si kryetari i parë i Bordit të Paqes dhe do të kishte rol vendimmarrës në ftesat për anëtarësim. Vendimet do të merreshin me shumicë votash, por do t’i nënshtroheshin miratimit përfundimtar të kryetarit.

Drafti parashikon që shtetet anëtare të kenë mandate trevjeçare, me mundësi rinovimi nga kryetari. Megjithatë, ky kufizim nuk do të zbatohej për vendet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e kartës, të cilat do të përfitonin anëtarësim të përhershëm.

Bordi përshkruhet si një organizatë ndërkombëtare me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së besueshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zona të prekura nga konflikti, veçanërisht në Gaza. Ai do të bëhej funksional sapo tre shtete të bien dakord për kartën.

Sipas burimeve të Bloomberg, disa vende evropiane janë ftuar të bashkohen me këtë bord, por drafti ka ngjallur kundërshtime për shkak të rolit qendror që do të kishte Trump në kontrollin e fondeve dhe vendimmarrje. Kritikët shprehin shqetësimin se kjo nismë mund të shihet si një alternativë ndaj Kombeve të Bashkuara.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se tarifa prej 1 miliard dollarësh nuk është e detyrueshme për anëtarësim, por garanton status të përhershëm. Fondet, sipas tij, do të përdoren për rindërtimin e Gazës dhe zbatimin e mandatit të Bordit të Paqes.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033