Policia e Fierit ka finalizuar një hetim gjashtëmujor ndaj një shtetasi që dyshohet se furnizonte qytetin me lëndë narkotike kanabis, duke e arrestuar atë në kuadër të operacionit të koduar “Target”.
Bëhet fjalë për shtetasin F.B., 31 vjeç, banues në Fier, i cili u kap në flagrancë me një sasi kanabisi të ndarë në doza, të gatshme për shitje. Lënda narkotike u sekuestrua si provë materiale.
Sipas hetimeve të Specialistëve për Hetimin e Narkotikëve, 31-vjeçari siguronte kanabisin, e përpunonte në doza dhe më pas e shpërndante në qytetin e Fierit. Aktiviteti i tij u dokumentua përmes metodave proaktive gjatë një periudhe gjashtëmujore.
Në bazë të provave të administruara, Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 31-vjeçarit për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë vijojnë.