Një 37-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se organizonte lojëra fati në lokalin që administronte në rrugën “Kole Koçi”.
Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit policor “Bet”, gjatë të cilit Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike ushtruan kontrolle në ambiente të dyshuara për veprimtari të paligjshme. Gjatë kontrollit në lokal, policia konstatoi se aty zhvilloheshin lojëra fati.
Si provë materiale u sekuestrua një telefon celular, i cili përdorej për organizimin e basteve, ndërsa administratori i lokalit, shtetasi A.Z., u arrestua në flagrancë.
Policia bëri të ditur se materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e hetimeve, ndërsa kontrollet për evidentimin e rasteve të lojërave të fatit të paligjshme do të vazhdojnë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.