Kërkesa e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për të pasur një kompjuter ose laptop pa internet në qeli për të lexuar fashikujt hetimorë të dosjes së “Sterilizimit” është refuzuar nga Drejtoria e Burgjeve, duke sjellë shtyrjen e seancës në Gjykatën e Posaçme.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar GJKKO-së, Drejtoria e Burgjeve deklaroi se institucionet e paraburgimit nuk kanë infrastrukturën teknike për të mundësuar përdorimin e pajisjeve kompjuterike nga të paraburgosurit, edhe në rastet kur ato nuk lidhen me internetin.
Ilir Beqaj e kundërshtoi këtë argument, duke vënë në pikëpyetje bazën ligjore të refuzimit dhe duke deklaruar se aktualisht nuk i garantohet e drejta për t’u njohur në mënyrë efektive me materialet e çështjes. Ai theksoi se proceset penale zhvillohen mbi mijëra faqe materiale elektronike, të cilat i vihen në dispozicion avokatëve, por jo vetë të pandehurve në paraburgim.
Gjatë seancës, ish-ministri lëshoi kritika të forta ndaj SPAK-ut, duke e akuzuar për mungesë provash dhe për përdorimin e metodave të persekutimit publik. Ai e krahasoi procesin e tij me gjyqet politike të së kaluarës, duke pretenduar se drejtësia po vepron nën presion politik.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për më 3 shkurt, ndërsa çështja e aksesit të të paraburgosurve në dosjet hetimore mbetet një problematikë e përsëritur edhe nga figura të tjera publike, të cilët kanë ngritur shqetësime për cenimin e së drejtës për mbrojtje efektive në gjykatë.