SPAK ka kërkuar burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, pronarin e kompleksit “Golden” në Shijak, i cili akuzohet për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit.
Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, prokurorët Elida Kaçkini dhe Behar Dibra deklaruan se hetimi ka provuar se Hajri kishte dijeni për rrëmbimin dhe ka bashkëpunuar me autorët, duke vënë në dispozicion ambientet ku viktima u mbajt peng dhe u torturua.
Altin Hajri po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati që prej shpalljes në kërkim. Procesi gjyqësor u shty, pas kërkesës së avokatit për më shumë kohë në përgatitjen e mbrojtjes përfundimtare.
Ngjarja ndodhi në janar 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz dhe u dërgua në Shijak, ku u pa për herë të fundit. Sipas SPAK, rrëmbimi u porosit si hakmarrje për një sasi droge të humbur në Angli dhe dyshohet se porositësi ishte Dritan Rexhepi, i cili ndodhej jashtë vendit në atë kohë.
Për të njëjtën çështje, drejtësia ka dhënë tashmë dënime të rënda. Festim Bexhdili është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Olsi Turja me tre vite burg. Ndërkohë, procesi gjyqësor për disa persona të tjerë të akuzuar për këtë ngjarje vijon i ndarë në Gjykatën e Posaçme.