Lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit. Niveli i ujit ka shkuar në 7.45 metra, duke sjellë përsëri përmbytjen e tregut të Mifolit.
Prurjet vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa në zonën e Memaliajt niveli i ujit ka arritur në 7 metra. Kjo situatë paralajmëron një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, e cila pritet të arrijë deri në 8.5 apo 9 metra në orët në vijim.
Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa banorët që jetojnë pranë shtratit të lumit janë vënë në gatishmëri për të marrë masa parandaluese, në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.