Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur kritika të forta ndaj drejtimit aktual të PD, duke deklaruar se protesta e sotme para Kryeministrisë ka mbledhur tre herë më pak njerëz sesa një tubim i shoqatës së gjuetarëve të Korçës.
Deklaratat Salianji i bëri gjatë një takimi me demokratët në Korçë, ku akuzoi kryetarin e PD Sali Berisha dhe sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka se e kanë çuar partinë nga një humbje në tjetrën dhe se kanë dobësuar ndjeshëm mobilizimin opozitar.
Ai solli si shembull një protestë të zhvilluar në vitin 2021 nga shoqata e gjuetisë së Korçës, e organizuar për të kundërshtuar moratoriumin e vendosur nga qeveria për ndalimin e gjuetisë. Sipas Salianjit, ky tubim, i organizuar vetëm nga dega e Korçës, mblodhi rreth 200 persona, një shifër që, sipas tij, është tre herë më e lartë se pjesëmarrja aktuale në protestat e PD.
Salianji theksoi se në kushtet kur opozita pretendon se qeveria është e përfshirë në skandale të shumta, reagimi qytetar duhet të ishte masiv dhe jo simbolik. Ai shtoi se është e pakuptimtë që një parti opozitare të mos arrijë të mobilizojë qytetarët, ndërkohë që pakënaqësia ndaj qeverisë, sipas tij, është e përhapur në mbarë vendin.
Sipas ish deputetit, Partia Demokratike nuk mund të pranojë si normale protesta me pjesëmarrje kaq të ulët dhe duhet të reflektojë seriozisht mbi drejtimin politik dhe mënyrën e organizimit të saj.