Një lajm tronditës ka qarkulluar së fundmi në Turqi, ku aktori i njohur Can Yaman është arrestuar në kuadër të një operacioni antidrogë të zhvilluar në Stamboll.
Sipas raportimeve, një informacion i fshehtë ka çuar autoritetet drejt një aksioni të zhvilluar pas mesnatës, gjatë të cilit janë ushtruar kontrolle në nëntë ambiente të ndryshme argëtimi. Mes tyre ishte edhe Hoteli Bebek, ku Can Yaman po kalonte mbrëmjen.
Bëhet e ditur se ndaj aktorit nuk kishte një urdhër arresti paraprak nga prokuroria, por gjatë kontrollit në ambientin ku ndodhej, atij iu gjetën me vete disa substanca të dyshuara narkotike. Për këtë arsye, autoritetet kanë ndërhyrë dhe e kanë arrestuar në vend.
Operacioni antidrogë ka çuar gjithashtu në sekuestrimin e llojeve të ndryshme të substancave narkotike në disa prej lokaleve të kontrolluara. Sipas të njëjtave raportime, aksioni ishte i orientuar drejt goditjes së disa personazheve të njohur.
Can Yaman, i cili ka rrënjë kosovare dhe shqiptare nga ana e gjyshërve të tij që u larguan nga Kosova gjatë luftës dhe u vendosën në Turqi dekada më parë, është një nga figurat më të njohura të kinematografisë turke dhe ndërkombëtare. Ai ka fituar popullaritet të madh edhe në Shqipëri dhe Kosovë, duke u konsideruar prej kohësh si një figurë që ka bërë krenarë shqiptarët për suksesin e tij ndërkombëtar.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme zyrtare lidhur me ecurinë e çështjes, ndërsa priten sqarime të tjera në vijim.