Përmbytjet në vend, Berisha i kërkon qeverisë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me situatën e përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq në disa zona të vendit, duke kërkuar shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet e prekura.

Në një deklaratë publike, Berisha e cilësoi të papranueshëm dhe kriminal faktin që, sipas tij, qeveria nuk po ndërmerr këtë hap në zonat që ndodhen nën pushtetin e ujit. Ai theksoi se dëmet janë të mëdha dhe se situata po përkeqësohet nga dita në ditë.

“Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet. Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje; nga Gjirokastra deri në Shkodër janë mijëra familje të tjera, biznese dhe fabrika që kanë pësuar dëme të parikuperueshme”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, Partia Demokratike kërkon që qeveria të shpallë menjëherë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura, duke argumentuar se një vendim i tillë do ta detyronte shtetin të kompensojë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë reagimi dhe indiferencë ndaj situatës.

“Edi Rama apo Ramaduro nuk e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës, Lezhë, Shkodër dhe qarqe të tjera, vetëm e vetëm sepse ligji e detyron t’u përgjigjet një për një dëmeve të krijuara. Ky qëndrim indiferent dhe cinik është një lloj krimi në vetvete”, deklaroi ai.

Berisha solli edhe shembuj nga qytetarë të prekur nga përmbytjet, duke theksuar se situata është e përsëritur dhe e rëndë. “Në katër muaj jam përmbytur katër herë”, citoi ai një qytetar nga Durrësi, duke e cilësuar gjendjen si një katastrofë natyrore me përmasa të mëdha.

Në vijim, Berisha kritikoi reagimet publike të kryeministrit lidhur me situatën, duke i cilësuar ato si tallëse ndaj qytetarëve të prekur nga përmbytjet. Ai theksoi se opozita po monitoron zhvillimet dhe do të vijojë të reagojë lidhur me menaxhimin e situatës nga ana e qeverisë.

Aktualisht, Berisha po ndjek situatën nga Tirana, ndërsa ka bërë të ditur se qëndrimet e mëtejshme politike të opozitës do të bëhen publike në ditët në vijim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033