Kryeministri Edi Rama është takuar në Paris me sipërmarrësin amerikan Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë vizitës së tij zyrtare në kryeqytetin francez.
Takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, ku Rama po merr pjesë së bashku me liderë të tjerë europianë dhe përfaqësues ndërkombëtarë. Nuk janë bërë publike detaje mbi përmbajtjen e bisedës mes dy palëve.
Kreu i qeverisë shqiptare ka ndarë pamje nga takimi përmes një postimi publik, ku shihet edhe një moment përshëndetjeje mes tij dhe Jared Kushner. Fotografitë janë publikuar në kuadër të aktiviteteve dhe takimeve që Rama ka zhvilluar gjatë samitit.
Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën po mbahet në Paris me fokus koordinimin politik dhe diplomatik të vendeve pjesëmarrëse lidhur me situatën në Ukrainë, ndërsa takimet dypalëshe mes liderëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm po zhvillohen paralelisht me punimet e tij.