BMW luksoz i vjedhur në Gjermani përfundon në Tiranë, sekuestrohet makina 140 mijë euro; në kërkim 42-vjeçari

Policia e Tiranës ka sekuestruar një automjet luksoz tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 mijë euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani, në kuadër të operacionit policor të koduar “Stolen line”, kundër trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë vendit.

Gjatë veprimeve operative, automjeti u ndalua në zonën e Vorës, ku u procedua penalisht blerësi i mjetit, njëkohësisht drejtues i tij në momentin e ndalimit, shtetasi E. D., 39 vjeç. Nga verifikimet rezultoi se mjeti ishte trafikuar në Shqipëri me qëllim shitjen.

Në vijim të hetimeve, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin F. H., 42 vjeç, shtetas kosovar, i dyshuar si personi që ka sjellë automjetin e vjedhur në territorin shqiptar. Autoritetet bëjnë me dije se po punohet për kapjen e tij.

Sipas Policisë së Tiranës, me këtë rast shkon në pesë numri i automjeteve luksoze të sekuestruara që nga nisja e operacionit “Stolen line”, i cili synon goditjen e rrjeteve që trafikojnë në Shqipëri mjete motorike të vjedhura jashtë shtetit.

Materialet procedurale për këtë çështje i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033