25 vjet burg për Isuf Hasën, gjykata e shpall fajtor për vjedhje me pasojë vdekjen e fqinjit të tij

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 25 vjet burg Isuf Hasën, i cili u shpall fajtor për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, lidhur me ngjarjen e ndodhur më 13 janar 2025 në Shëngjergj të Tiranës, ku humbi jetën Xhemal Meta.

Sipas vendimit të gjykatës, Isuf Hasa goditi për vdekje me çekiç fqinjin e tij, Xhemal Meta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë nga mjete të forta. Pas aktit të dhunshëm, ai i mori viktimës shumën e parave që Meta mbante në një qese të lidhur në qafë.

Nga hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor rezultoi se viktima ndërroi jetë si pasojë e traumave të rënda kraniale të shkaktuara nga goditjet me çekiç. I pandehuri, i pyetur gjatë procesit, ka pranuar autorësinë e veprës, duke deklaruar se e goditi fqinjin pas një konflikti të akumuluar prej kohësh, pas konsumimit të kafes së mëngjesit.

Në vendimin e saj, gjykata përcaktoi që dënimi prej 25 vitesh burgim të vuhet duke filluar nga data e ndalimit, 15 janar 2025, në një institucion të sigurisë së lartë. Po ashtu, kartëmonedhat e sekuestruara do t’i kthehen pronarit të ligjshëm, ndërsa sendet e tjera të parashikuara në vendim do të kalojnë në favor të shtetit.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore t’i ngarkohen të pandehurit, ndërsa shpenzimet për mbrojtjen e caktuar kryesisht të përballohen nga shteti. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033