SPAK mban në sekuestro 8 telefona dhe 2 laptopë në hetimin për AKSHI-n, GJKKO rrëzon kërkesën e zyrtares së Policisë së Shtetit

Në kuadër të hetimeve që Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion po zhvillon ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), janë sekuestruar 8 telefona celularë dhe 2 laptopë gjatë kontrollit të banesës së Ervina Gjanës dhe bashkëjetuesit të saj, Renato Hristic. Vendimi për sekuestrimin është konsideruar i ligjshëm nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ervina Gjana mban funksionin e drejtoreshës së krimit kibernetik në Policinë e Shtetit. Ndërkohë, bashkëjetuesi i saj, Renato Hristic, ka qenë shoqërues i biznesmenit Ergys Agasi, i cili është shpallur në kërkim në kuadër të së njëjtës dosje penale që po hetohet nga SPAK.

Pas sekuestrimit, Gjana i është drejtuar GJKKO-së me kërkesë për rikthimin e pajisjeve elektronike, duke pretenduar se telefonat i përkisnin vetëm asaj dhe jo bashkëjetuesit, ndërsa dy laptopët, sipas saj, ishin në përdorim të fëmijëve. Gjykata e Posaçme e ka rrëzuar këtë kërkesë, duke lënë në fuqi masën e sekuestrimit.

Sipas vlerësimit të gjykatës, veprimet e ndërmarra nga SPAK janë në përputhje me ligjin dhe të nevojshme për ecurinë e hetimeve. Pajisjet elektronike do të vijojnë të mbahen në administrim të autoriteteve hetimore.

Hetimet për çështjen e AKSHI-t janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive që lidhen me këtë dosje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033