Niveli i lumit Vjosa në pikën e matjes te “Ura e Mifolit”, në anën e qarkut Fier, po i afrohet kuotës kritike prej 7.5 metrash, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje në zonat përreth.
Sipas të dhënave të fundit, prurjet e lumit janë në rritje pas reshjeve të dendura të rëna gjatë natës së kaluar në qarkun e Gjirokastrës dhe në Vlorë. Situata është përkeqësuar edhe nga prurjet e larta të lumit Shushicë, i cili bashkohet me Vjosën në zonën e Cakranit.
Për shkak të këtij zhvillimi, strukturat e Emergjencave Civile kanë nisur njoftimin e banorëve që jetojnë përgjatë lumit Vjosa, si dhe të zonave bregdetare në Darëzezë, për evakuime të mundshme në rast përkeqësimi të situatës.
Autoritetet paralajmërojnë se nëse niveli i Vjosës tejkalon kuotën kritike prej 7.5 metrash, uji mund të përfundojë në zonën e Darëzezës, pasi përshkon fshatrat Dërmenas dhe Povelçë.
Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse, ndërsa banorëve u kërkohet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të jenë të gatshëm për masa parandaluese.