Boksieri fierak Aleksandër Kallashi, i cili së fundmi fitoi për të dytën herë titullin kampion europe, ka shpallur ambiciet e tij për të synuar titullin botëror.
Megjithatë, për të arritur këtë objektiv madhor, 30-vjeçari kërkon mbështetjen e Bashkisë Fier.
“Ëndrra ime është të mbroj titullin botëror në qytetin tim,” u shpreh Kallashi, duke apeluar për mundësi më të mira stërvitjeje, veçanërisht në qendrën sportive të Apollonisë. Boksieri ka bërë thirrje që autoritetet lokale dhe institucionet të mbështesin rrugëtimin e tij drejt majave të sportit botëror.
Ndërkohë, trajneri i tij, Baftjar Abazaj, ka zbuluar se në një takim me kryebashkiakun Armando Subashi është kërkuar mbështetje financiare për boksierin fierak. Sipas Abazajt, kryebashkiaku ka premtuar ndihmë për të garantuar që Kallashi të ketë kushtet e nevojshme për t’u përgatitur si një kampion i vërtetë.
“Është mëkat që talente të tilla të na i marrë bota,” ka deklaruar menaxherja e Kallashit, duke theksuar se mbështetja për të duhet të jetë maksimale. Ajo i ka bërë thirrje komunitetit dhe institucioneve të bashkëpunojnë për të mbajtur këtë talent premtues në nivelin më të lartë.
Aleksandër Kallashi është një emër në rritje në botën e boksit, duke garuar në kategorinë e peshës 69 kilogramë. Ai veshi dorezat për herë të parë në moshën 13-vjeçare dhe, pas një karriere të pasur, aktualisht jeton në Gjermani.
Suksesi i tij më i fundit erdhi në ndeshjen e zhvilluar më 29 nëntor në Durrës, ku Kallashi triumfoi duke fituar dy breza kampion europe. Ky rezultat e ka katapultuar atë në listën e boksierëve më premtues të Evropës, duke përforcuar edhe më shumë aspiratat e tij për të konkurruar në arenën botërore.
Rruga drejt titullit botëror nuk është vetëm sfidë sportive, por edhe një thirrje për bashkim dhe mbështetje nga komuniteti fierak. Tani, e ardhmja e këtij kampioni qëndron në duart e atyre që mund ta ndihmojnë të ngjitet në majën e suksesit global.