Gjatë një vizite zyrtare në Paris, kryeministri Edi Rama është takuar me ministrin francez të Drejtësisë, Gérald Darmanin, për të diskutuar mbi reformimin e politikës penale në Shqipëri dhe avancimin e draftit të ri të Kodit Penal.
Takimi u mbajt në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të kryeministrit, përpara samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, dhe u përqendrua te bashkëpunimi dypalësh në fushën e drejtësisë.
Sipas deklarimit të Ramës, palët diskutuan për përfshirjen e ekspertizës franceze në grupin e reflektimit që po analizon problematikat e politikës penale në Shqipëri, me synim ndërtimin e një Kodi Penal të ri, të përputhshëm me standardet evropiane dhe praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian.
Kryeministri vlerësoi mbështetjen e Francës në këtë proces, duke theksuar se bashkëpunimi me partnerë të rëndësishëm evropianë është thelbësor për modernizimin e legjislacionit penal dhe për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian.