Agron Shehaj ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës që të publikojnë dosjen voluminoze prej 16 mijë faqesh që, sipas tij, përmban prova për korrupsion.
Shehaj deklaroi se anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve e kanë dosjen prej javësh dhe nuk kanë më asnjë arsye për të heshtur. Ai u shpreh se edhe nëse publikimi përbën shkelje ligjore, kjo duhet bërë në emër të interesit publik.
“Është e vërtetë që shkelin ligjin, por edhe një protestues, kur përplaset me policinë, shkel ligjin. Edhe Edi Rama po shkel ligjin duke mos lejuar arrestimin e Belinda Ballukut”, tha Shehaj.
Ai shtoi se opozita nuk duhet të presë një vendimmarrje nga kryeministri. “Nuk mund të presim që Edi Rama të lejojë arrestimin e saj. Nuk ka për ta bërë kurrë, sepse e di shumë mirë që pas Belinda Ballukut vjen radha e tij”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.
Në përfundim, Shehaj theksoi se nëse deputetët nuk duan ta bëjnë publike vetë dosjen, atëherë duhet t’ua dorëzojnë mediave, duke i lënë ato të bëjnë transparencën para opinionit publik.