Policia e Tiranës ka arrestuar një mjek 53-vjeçar, i dyshuar për ushtrim dhune ndaj kryeinfermieres në ambientet e një spitali në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin Julian Habiaj, 53 vjeç, me detyrë mjek gjinekolog, pasi dyshohet se ka goditur kryeinfermieren në të njëjtin institucion shëndetësor.
Nga të dhënat paraprake, mjeku ka pretenduar se kryeinfermierja nuk ka zbatuar një protokoll mjekësor, çka ka çuar në konfliktin mes tyre dhe më pas në incidentin fizik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.